-
ose
-
-
ose
-
Denta Care
Klinikë Dentare
650 m2
Prishtine, Kosovë
650 m2
Dizajni i enterierit për klinikën stomatologjike Denta Care është frymëzuar nga një lidhje e thellë me natyrën – një reflektim i drejtpërdrejtë i pasionit të pronarëve, Adonis dhe Festa, për botën natyrore dhe jetën e balancuar. Kjo ndjenjë është e rrënjosur jo vetëm në vlerat personale, por edhe në emrat simbolikë të fëmijëve të tyre – Diella, Mali dhe Arra – që mishërojnë diellin, malet dhe bimësinë, si tre forca të natyrës që udhëheqin konceptin e këtij projekti.
Koncepti: Nga klinikë drejt oazës së qetësisë
Qëllimi kryesor i dizajnit ishte krijimi i një ambienti që i shmanget ndjesisë klinike tradicionale dhe që ofron një përvojë relaksuese e të ngrohtë për çdo pacient. Denta Care nuk është vetëm një hapësirë për trajtim dentar – është një oazë natyror ku kujdesi për shëndetin ndërthuret me mirëqenien emocionale.
Ngjyrat dhe materiali
Në katin përdhesë dominon një kombinim i rafinuar i ngjyrës terrakote dhe kremit të butë të rërës, që përfaqësojnë tokën, ngrohtësinë dhe sigurinë. Këto ngjyra shërbejnë si sfond i qetë për praninë e pacientëve, duke krijuar një ambient të përzemërt dhe tokësor.
Shkallët që të shpijnë në katin e dytë janë konceptuar si një portë e gjelbër – një simbol i hyrjes në një zonë më të përqendruar, ku dominon e gjelbra e gjelberimit. Kjo ngjyrë, përveç se rezonon me natyrën, lidhet edhe me kirurgjinë dentare, e cila është e vendosur në këtë kat.
Format dhe drita natyrale
Format harkore janë përdorur për të zbutur linjat e mprehta të një klinike tradicionale dhe për të krijuar një atmosferë rrjedhëse, të butë dhe harmonike. Ndërsa përdorimi i gjerë i xhamit lejon depërtimin e dritës natyrale dhe krijon një ndjesi hapjeje, ajrosjeje dhe komunikimi vizual ndërmjet hapësirave të brendshme dhe natyrës jashtë.
Përvoja e pacientit
Gjithçka është menduar për t’i bërë pacientët të ndihen të mirëpritur, të qetë dhe të relaksuar, duke larguar ndjenjën e ankthit që shpesh shoqëron vizitat dentare. Fryma e natyrës është e pranishme në çdo detaj – nga paleta e ngjyrave deri te teksturat dhe linjat organike – duke e shndërruar Denta Care në një ambient që të kujton më shumë një hapësirë relaksi sesa një klinikë.